Ndalohet trafikanti i zvarranikëve në aeroport, zbulohen 88 gjarpërinj të gjallë

Në aeroportin ndërkombëtar “Schwechat” të Vjenës, u zbuluan 88 gjarpërinj të gjallë, në bagazhin e një australiani që jetonte në Filipine.

Sipas një deklarate nga Ministria e Financave, një ditë më parë oficerët doganorë në aeroport gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhet e një udhëtari, konfiskuan 88 zvarranikë të gjallë, nga të cilët 43 prej tyre ishin gjarpërinj helmues.

Në deklaratë bëhet e ditur se, 20 nga zvarranikët, ishin gjallesa të rrezikuara nga zhdukja dhe ishin sjellë nga Filipinet, për t’u shitur në mënyrë të jashtëligjshme në Gjermani.

Kafshët u dërguan në kopshtin zoologjik “Schönbrunn” në Vjenë dhe në qendrën e zvarranikëve në “Klagenfurt”.

Ndaj personit që kryente trafikimin e kafshëve u hap hetim me akuzat për trafikim dhe tregti në mënyrë të jashtëligjshme të llojeve të kafshëve që jetojnë në natyrë.