SKANDAL/ PPP e rrugës Milot – Balldren që votohet nesër në Kuvend e ndryshme nga kontrata e miratuar në MFE

Nesër më datë 12 shtator 2019 Kuvendi do të votojë sërish në seancë plenare ligjin nr. 52/2019 për miratimin e kontratës së koncësionit/PPP për ndërtimin e segmentit rrugor Milot – Balldren.

Skandali qëndron në faktin që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tjetër kontratë ka paraqitur për miratim në Ministrinë e Financave dhe tjetër kontratë ka përcjellë për votim në Kuvend.

Ndryshimi ndërmjet kontratave qëndron në anekset e tyre dhe pikërisht te shtojca 6 “Modeli Financiar”.

Te kontrata e paraqitur për miratim në Ministrinë e Financave për zërin “Financime nga furnitorët” thuhet që financimi nga furnitorët do të jetë 9.5 milion euro vitin e dytë dhe 10 milion euro vitin e tretë, ndërsa te kontrata e paraqitur për miratim në Kuvend për zërin “Financime nga furnitorët” thuhet që financimi nga furnitorët do të jetë 2.5 milion euro vitin e parë, 3 milion euro vitin e dytë, 7 milion euro vitin e tretë dhe 7 milion euro vitin e katërt.

Normalisht duke u bazuar në përcaktimet e bëra në VKM nr. 634, datë 1.10.2014, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të duhej të merrte sërish miratimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për cdo ndryshim që do ti bëhej kontratave të propozuara nga ana e saj. Cuarja në Kuvend e një kontrate të ndryshme nga ajo e miratuar më parë në Ministrinë e Financave për më tepër kur ndryshimet lidhen ngushtësisht me propozimin financiar të shoqërisë koncesionare e bën të paligjshëm dhe të pabesueshëm të gjithë procesin e dhënies së këtij koncesioni si dhe gjithë procedurën në të cilën është përfshirë Kuvendi i RSH për miratimin me ligj të kësaj kontrate.

Sqarojmë që të dyja kontratat kanë të njëjtin numër regjistrimi dhe që të dyja pretendojnë se janë hartuar duke u bazuar në propozimin financiar të deklaratës së datës 18.03.2019 por ndryshojnë në anekset e tyre.