Deklaratat e Presidentit/ Pas interesit të gazetarëve reagon PD nëpërmjet Bardhit

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta se në datën 8 qershor do të digjej Kuvendi nëse nuk do të shtynte zgjedhjet.

Duke folur për Panorama, Gazmend Bardhi u shpreh se nuk ka pasur asnjë skenar të tillë.

‘Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.

Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.

Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se ‘nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri’. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut.

 ‘Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare’.