Aktivistët e Hong Kong thirrje SHBA-s, rrit presionin ndaj Kinës

Aktivistët pro-demokracisë u mblodhën pranë konsullatës amerikane në Hong Kong të dielën ndërsa përpiqen të rrisin presionin ndërkombëtar ndaj Pekinit pas tre muajsh protestash të mëdha dhe ndonjëherë të dhunshme.

Miliona njerëz kanë dalë në rrugët e Hong Kongut gjatë 14 javëve të fundit në sfidën më të madhe për sundimin e Kinës që nga dorëzimi i qytetit nga Britania në vitin 1997, raporton VOA.

Një turmë e madhe njerëzish, disa duke valvitur flamurin amerikan, u mblodhën në një park në distriktin komercial të Hong Kongut dhe marshuan pranë konsullatës së Uashingtonit.

Ata i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë presion ndaj Pekinit për të përmbushur kërkesat e tyre dhe që Kongresi të miratojë një projekt-ligj të propozuar së fundmi që shpreh mbështetje për protestën.

Protestat filluan nga planet për një projekt-ligj tani të anuluar, për të lejuar ekstradimet në Kinë, që shihet nga kundërshtarët si lëvizja e fundit e Pekinit për të cënuar liritë unike të Hong Kongut.

Por pasi Pekini dhe udhëheqësit e qytetit reaguan ashpër, lëvizja u shndërrua në një fushatë më të gjerë duke kërkuar demokraci më të madhe, përgjegjshmëri të policisë dhe një amnisti për të arrestuarit në protesta.