Spaho: Çekët dhe presidenti i tyre laro i Beogradit kuptuan se Kosova nuk është Serbi

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, përmes një postimi në Facebook, përveç se uron Kosovën për fitoren e rëndësishme të arritur sot, ndërsa quan provokatorë çekët.

Duke iu referuar deklaratës së presidentit çek para vizitës së tij zyrtare në Beograd se, Republika Çeke po mendon të tërheqë njohjen për Kosovën, Spaho shkruan: “Çekët dhe presidenti i tyre laro i Serbisë Millosh Zeman besoj se sot kanë kuptuar që Kosova nuk është Serbi”, shkruan Spaho.

Në fund të reagimit, nënkryetari i PD shprehet i bindur se në finalet e Euro 2020 do të jetë edhe përfaqësuesja e Kosovës.

“Fitore e jashtëzakonshme e Kosovës ndaj Çekisë. Pergjigje e merituar ndaj provokatorëve çekë të cilet deshën të ngrinin gjatë ndeshjes një dron me parrullën “Kosova është Serbi”. Çekët dhe presidenti i tyre laro i Serbisë Millosh Zeman besoj se sot kanë kuptuar që Kosova nuk është Serbi. Forca Kosova, në kampionatin e ardhshëm Europian do jenë edhe shqiptarët”, shkruan Edmond Spaho.