Trajneri i Çekisë flet për përballjen me Kosovën, ka disa fjalë speciale për Zhegrovën

Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy, mendon se të besuarit të tij do të bëjnë paraqitje të kënaqshme në përballjen eliminatore kundër Kosovës.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është shndërruar në një vend frikësues për gjitha skuadrat që përballen me Kosovën, pasi “Dardanët” nuk e njohin  humbjen në Prishtinë.

“Për ne është me rëndësi të luajmë dhe të fitojmë. Edhe bullgarët kanë luajtur këtu dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ne presim ndeshje të mirë nga ana jonë”, ka thënë Silhavy.

Ai ndër të tjera tha se do ta respektojë në maksimum Kosovën.

“Do ta respektojmë Kosovën e cila ka mungesa, por e ka një Zhegrova me plot energji. Ata dalin shpejt nga mbrojtja në sulm. Kam thënë se pas Anglisë, të gjitha Kombëtaret janë të përafërta në grupin tonë. Ne duhet të bazohemi në lojë tonë”, theksoi Jaroslav Silhavy.

Kundër Çekisë, Kosova do të zbresë në “Fadil Vokrri” pa Milot Rashicën, Arbër Zenelin, Benjamin Kolollin, Hekuran Kryeziun dhe Herolind Shalën, të gjithë të dëmtuar.