Ish-shoku i ekipit tregon si David Beckham i ‘la në baltë’: Jam ende i zemëruar me të

Kanë kaluar plot 21 vite nga përballja Angli-Argjentinë në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës “France 1998”.

Pavarësisht paraqitjes sensacionale të Michael Owen (fitoi një 11-metërsh dhe realizoi golin e 2-1), Anglia u eliminua në ruletën e penalltive nga Argjentina, pasi koha  rregullt dhe shtesa u mbyllën 2-2 (Batistuta 5’ pen, Zanetti 45-1’/Shearer 9’ pen, Owen 16’).

Në librin e tij të titulluar “Reboot”, cili është serializuar nga “Mirror”, Owen ka kritikuar ashpër një legjendë si David Beckham për sjelljen e tij në fushën e stadiumit në Saint-Etienne.

“Spice Boy”, pas një veprimi fëminor ndaj Diego Simeones, u ndëshkua me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë (47’), me përfaqësuesen e “Tre luanëve” që luajti thuajse gjysmën e lojës me një lojtar më pak.

“Para së gjithash, më lejoni të them se ajo që bëri Davidi nuk ishte ndoshta për karton të kuq. Megjithatë, veprimi i tij ishte krejt i panevojshëm. Njerëzit do të thonë se ishte thjesht një gabim, por nëse dëshiron të fitosh Kupën e Botës, nuk mund të kesh një sjellje të tillë.”

Owen, sot 39-vjeç, thekson se të gjithë lojtarët e Anglisë u ndjenë të “lënë në baltë” nga Beckham.

“A do ta kishim mundur Argjentinën me 11 lojtarë në fushë? Nuk do ta dimë kurrë, por sigurisht do të luanim më mirë. A do të kishim eliminuar më pas Holandën apo Brazilin e kështu me radhë? Asnjëherë nuk do ta dimë. Mund të them se, ndërsa po shkruaj këtë libër, David na la të gjithëve me moralin përtokë. A i meritoi më pas sulmet nga shtypi? Pa dyshim që jo. Megjithatë unë edhe sot jam i zemëruar për sjelljen e tij”, tha ish-sulmuesi anglez.