Po për qarkoren e Edi Ramës për mediat, kur do flasim?

Partisë Demokratike i ka “rrjedhur” tek “sokolat” e gazetarisë shqiptare një qarkore e shkruar me gjasë nga këshilltarët mizerabël të Lulzim Bashës, për mënyrën sesi selia blu duhet të qaset mediat qe nuk kanë qasje dashamirëse ndaj saj. Po them dashamirëse, se zakonisht qëndrimi ndaj saj është mizerabël njësoj si këshillat që prej vitesh i jepen asaj nga ata që e shohin median jo në pak raste si problem të opozitës.

Faji që vërvitet jetim pa strehë, se kush çalon në punën e vet opozita që nuk është e qartë apo media që i faturon asaj edhe paqartësi edhe aty ku uji qelbur është kristal. Por në prag të sezonit të ri mediatik që po nis diç më i zi se ai turistik që po lemë pas, ajo që është edhe njëherë shqetësuese ka të bëjë trashjen qimes, pa shikuar traun që është prej vitesh aty.

A nuk është më mirë që situatën ta shpjegojmë me shembujt e vetes tonë? A jemi ne më të lirë si media dhe nëse kjo çalon, kush e ka fajin qeveria apo opozita?

Unë vetë kam punuar në News 24 nga viti 2013 deri në vitin 2016 në një periudhë që më është e dashur për karrierën time, sepse mbaj mend sesi televizioni në fjalë e niste raportin me publikun të tillë që nga ora 7 e sabahut e deri të paktën në 4 të zamrës si media më e ndjekur absolutisht nga publiku dhe “publikja”. Ngjarjet nisnin, zhvilloheshin e bitiseshin vetëm kur News 24 e diktonte ashtu. Fuqi e madhe për besë në dorën e një media, veçse kurrë nuk u abuza (të paktën ato 3 vjet që mundova aty).

Veçse që pas ardhjes së Edi Ramës në krye të qeverisë, kontrasti mes News 24 dhe qeverisë u rrit me progresion gjeometrik dhe këtë mund ta konstatoje në telefonatat joshëshe e kërcënuese të njëkohëta e të pambarimta që zhvilloheshin gjatë ditës, për çdo lloj lajmi. Por këtë mund ta kuptoja, askush nuk na tha që do të punonim dhe media dhe sdo “na hante”… asgjë për askën e për njeri. Bile-bile, suksesi dhe qari i medias këtu synon të qullosë. Ta bëjë pushtetin, edhe opozitën bashkë me të, që të mendohet dy herë para se të bëjë zullum. Sepse News 24 ishte, (tani e prej disa vitesh jo më) media që i shkaktonte dhimbjen më të madhe të kokës dhe të ndonjë pjese tjetër trupore, kryeministrit me gjithë batalion nga mbrapa në turravrapin e vet drejt sundimit që kemi sot.

Atëhere dukej si një mendlajthitje ideja se do vinte dite që në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhje pa opozitën, apo të grabitej harbutshëm pa teklif pare, jo se nuk ndodhte. Atëhere, mbaj mend sesi deputetët e mazhorancës, ministrat, apo edhe ata të opozitës vinin e rrinin si pula para moderatorëve që i merrnin në pyetje, e nuk gërgufeshin banakut historik të News-it si bëjnë sot me intervista që kanë pyetje vetëm për përgjigjet e tyre. Shkëlqimi dhe rënia, janë dy drejtëza të kithta po aq së të pandara të fatit si nocion.

Qëndresa është një luks gjithë e më i tepruar në Shqipërinë e Edi Ramës. Edhe sikur të duash, shpesh nuk mundesh. Aq më tepër kure je një ndërtues, pronar kompanie birre, universiteti apo hoteli në të njëjtën kohë. Në një Shqipëri me pronar Edi Ramën, ti mund të jesh vetëm argat i tij, shumë shumë një brigadier në kompaninë tënde po të duash. Edhe pse mendon se ti ke çelësat e të mbjellave të rëndësishme, në një Shqipëri si ajo e Edi Ramës ato nuk hapin veçse kashiqen e kashtës. Kaq, pjesa tjetër është bullshit.

Ashtu si tërbjeti i gazetarëve që u zgjuan e panë se Lulzim Basha paska menduar të shkruajë një qarkore që i thotë të vetëve se cila është gjendja e mediave të kapura nga Edi Rama.

Për mua ajo qarkore ishte një amatorizëm ashtu siç janë edhe shumë mendime, qëndrime, përceptime e veprime të opozitës. Sepse situate është më keq, është edhe më rëndë. Ajo qarkore as nuk ia ka idenë se çfarë ndodh me mediat në vend. Për të mos thënë që në qarkorë mungojnë akoma edhe disa media të tjera që janë akoma më zi e më të rrezikshme se FakeStory-t, Temat e apo Java-t e telendisura me kohë e me vak. Por tek ajo qarkore kishte vetëm një shqetësim që e kam përjetuar edhe vetë në studio televizive apo zapping-un e përditshëm të portaleve, TV-ve e e gjithë enturazhit të nënshtruar ndaj “qarkores së pashkruar” të Edi Ramës.

Është aftësia për të relativizuar të keqen, se Lulzim Basha është njësoj si Edi Rama, se këta të opozitës nuk kanë ndonjë diferencë nga Ben Ahmetaj apo Damian Gjiknuri i Edi Ramës. Se ka vëlla Edi Rama, por ka kunat edhe Lulzim Basha. Se ani pse Edi Rama i ka blerë me nënshtrim mediat, ama kujdes se ky Lul Basha do bëjë më keq se Edi Rama. Më thoshte miku im Enton Abilekaj një ditë, kjo logjika e relativizimit është njësoj si të justifikosh atë që le të bëhet Edi Rama diktator se fundja kshu ka qenë edhe Enver Hoxha.

Pse kshu qenka? Le ta mbajmë Edi Ramën derisa të japë Allahu ymën, vetëm këtë Lul Bashën mos ta shohim aty. Lulzim Basha kurrë mos u bëftë, vetëm Edi Rama o mik, o vllau im gazetar një orë e më parë, “qafëëën” nga politika. E para për të mirën tënde që krahason të pakrahasueshme, e dyta për mua që nuk bëj fare dallim.

Dy muaj para se të largohesha nga News 24, drejtuesi i medias në fjalë më takoi dhe më kërkoi edhe njëherë që të mos shkruaja më statuse, (statuese në Facebook-un tim eeejjj) sepse po i dëmtoja biznesin. I thashë që e kuptoja se po i bënte Endri Fuga presion, por shtova duke i thënë që këtë kërkesë edhe pse lutëse karshi meje nuk ia plotësoja dot. Kur i përmenda Endri Fugën, nxorri telefonin me vrik dhe më tregoi dy sms të Edi Ramës ku në të parën i kishte dërguar një postimin tim me titull “Linda Rama apo Elena Çauçesku” dhe i shkruante: “a e pagaun ti këtë njeri?” dhe në sms-në e dytë bashkëngjitur me një postim timin në FB  e pyeste sërish: “a je ti pronar i këtij televizionit?”. 

p.s…ishte viti 2016, pastaj thjeshtë vendosa të iki!...