Roshi: T’u japim kënaqësi shqiptarëve me një rezultat pozitiv në Francë

Shqipëria do të përballet ditën e shtunë me Francën në sfidën e vlefshme për eliminatoret e “EURO 2020”.

I pranishëm në konferencën për shtyp, mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi, u shpreh optimist për këtë përballje, teksa shpreson për një rezultat pozitiv në “Stade de France”.

“Personalisht jam në gjendje të mirë. Edhe ekipi kombëtar është shumë mirë. Kemi bërë një fitore ndaj Moldavisë. Kemi 2 ndeshje të rëndësishme kundër Francës dhe Islandës. Për Francën nuk është e nevojshme të flasësh, se dihet se çfarë kundërshtari është.

Unë jap maksimumin tim me Kombëtaren. Është kënaqësi e madhe për mua, kur shënoj dhe asistoj. Jap maksimumin për shtetin tim.

Fryma është shumë mirë. Të rëndësishme janë rezultatet. Ne gjithmonë bëjmë maksimumin në stërvitje. Kanë ardhur edhe lojtarë të rinj, shpresojmë të bëjmë maksimumin në këto 2 ndeshje.

Trajneri luan me skemë nga krahët. Akoma nuk është vendosur kush do luajë. Ata që do luajnë shpresoj të japin maksimumin. Luajmë kundër kampionëve të botës. Do të jetë kënaqësi për të gjithë shqiptarët të marrim një rezultat të mirë.

Franca ka një ekip shumë i mirë. Nuk është mirë të flasësh do fitojmë apo do humbim. Kemi fituar me Francën në shtëpi, kemi marrë dhe një barazim atje. Kemi bërë dhe humbje. T’ia lëmë ndeshjes”, u shpreh Roshi.