Numri 'Z 0148497' që nxjerr bllof Ramën dhe çon Kajmakun në burg

Në thelbin e denoncimit që bëri sot Partia Demokratike për të provuar se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është personi me precedentë penalë i arrestuar në Greqi me emrin e ndryshuar Jorgo Toto është një numër pasaporte. 

Gazment Bardhi deklaroi sot se është ky dokument autentik që PD e posedon dhe, nëpërmjet tij, provon në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi. 

Me këtë numër pasaporte, Z 01484 97, që i lidh Kajmakun dhe Toton, PD-ja ka hedhur kështu poshtë sot, të gjithë skemën e mashtrimit që kryeministri Edi Rama ka ngritur për ta mbajtur me çdo kusht në këmbë, të zgjedhurin e tij në bashkinë e Vorës.

Bardhi deklaroi se: "E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje. Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi,  për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës  për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për  nënën dhe babin e tij. 

Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet  me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari. 

Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e  arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos.

Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij  hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS.

Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i  arrestuar në vitin 2003 në Greqi.