PD: Rama po mashtron, ja provat e sigurta se Kajmaku është në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia greke!

PD faktoi sot me fotografi dhe dokumenta të detajuara, se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është në mënyrë të padiskutueshme i arrestuari në Greqi, Jorgo Toto, person i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia greke. Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i PD, në një deklaratë për shtyp, theksoi se kryeministri Edi Rama është në dijeni të plotë të këtyre fakteve dhe “katica” e tij në Prokurori nuk po vepron mbi bazën e ligjit të Dekriminalizimit.

Bardhi tha:

“Shqiptarët panë dje me dokumente autentike se kandidati i Edi Ramës për Vorën,  është një kriminel, që ka fallsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, për të mbuluar  të kaluarën e tij kriminale dhe për t’i shpëtuar ligjit.

Shqiptarët u bënë dëshmitarë edhe të heshtjes që ka plllakosur mbi Edi Ramën,  pasi iu zbulua edhe krimineli i dytë brenda një muaji. Edi Rama vazhdon të heshtë,  duke bërë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon se pakti me krimin për të uzurpuar  edhe pushtetin lokal po zbulohet çdo ditë para shqiptarëve me fakte e prova.

Megjithëse vetë hesht, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për kriminleët e  propomovuar prej tij, Edi Rama e detyroi Agim Kajmakun dje të bëhej qesharak,  duke u viktimizuar me histori emigracioni, që nuk kanë lidhje fare me të vërtetën  e historisë së tij kriminale.

Partia Demokratike paraqiti dje 5 fakte.

1. Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi në vitin 2003 për  një krim që dënohet deri në 10 vjet burg.

2. Agim Kajmaku e ka fshehur arrestimin në Formularin e Dekriminalizimit.

3. Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sot e kësaj dite, është me masë arresti me burg  në fuqi në Greqi.

4. Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto, me proces penal të hapur në Greqi, është në kërkim kombëtar nga drejtesia greke.

5. Agim Kajmaku ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të jetë kandidat për kryetar  bashkie. Për fshehjen e krimit, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të  mandatit dhe burg deri në 4 vjet. Megjithëse provat janë publike, Edi Rama vazhdon të heshtë për t’i dhënë kohë  strategjisë së tij prej burracaku, që nuk i mbron direkt kriminelët e vet në bashki,  por përdor mercenarët në media për të thënë se Agimi Kajmaku nuk është Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi.

Me pseudo alibinë se Jorgo Toto i arrestuar në 2003-shin është një person tjetër  dhe se emri është thjesht një rastësi me atë që ka përdorur dikur Agim Kajmaku,  Edi Rama synon të mashtrojë qytetarët, duke mbrojtur pushtetin e vet kriminal.

E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje. Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, 
për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës  për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për  nënën dhe babin e tij. 

Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet  me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari. 

Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e  arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos. Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij  hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i 
arrestuar në vitin 2003 në Greqi. 

Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që  shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes  6.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497.

Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me  pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me  pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku.

Këtë e di edhe Edi Rama. Këtë e dinë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është një provë e pakontestueshme që organi i prokurorisë mund ta verifikojë brenda 1 minuti, sepse ka akses të plotë në sistemin TIMS. Por “Katica” e korruptuar e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk e bën 
këtë, sepse po zbaton strategjinë e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik. Arta Marku shpëndan lajme që ajo po vepron me shpejtësi dhe i ka kërkuar subjektit nën verifikim që të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike. Kjo është e paligjshme. 

Sipas ligjit të dekriminalizimit, gjurmët e gishtave nuk i kërkohen personit. Ato  merren në sistemin e të dhënave shtetërore biometike të shtetasve shqiptarë. Agim Kajmaku është i pajisur me pasaportë biometike dhe shenjat e tij të gishtave gjenden në sistem. Sipas ligjit ato i kërkohen personit që t’i depozitojë vetëm nëse nuk ndodhen në sistem. Ky nuk është rasti as i Agim Kajmakut, as i Valdrin Pjetrit, sepse që të dy janë në sistem dhe posedojnë një pasaportë biometrike.

 Akti i paligjshëm i Arta Markut me kërkesën për dhënien e gjurmëve të gishtave,  është një lojë e mirëmenduar kriminale, që synon të vonojë dhe të mbrojë kriminelët e pushtetshëm të Edi Ramës. Mbi këtë fakt skandaloz dhe të paligjshëm të kryer në bashkëpunim nga Edi Rama dhe Arta Marku, Partia Demokratike ka informuar që dje, në mënyrë urgjente, të gjithë trupin diplomatik në vend.

Partia Demokratike rithekson se Edi Rama dhe “katicat” e tij të korruptuara në  prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast, por ato nuk do të arrijnë kurrë ta fshehin të vërtetën apo të zgjasin agoninë në pushtet të Edi Ramës. Edi Rama do të largohet me turp dhe do të hyjë në histori si Kryeministri që i la trashëgimi këtij vendi vetëm kriminalizimin e çdo zyre të shtetit dhe promovimin në politikë e administratë të një armate me kriminelë, vrasës, përdhunues,  trafikantë droge e deri tek fallsifikatorë të parave.