DETAJE/ Çfarë ndodhi më 18 gusht me djemtë e Spartak Brahos? Nga sherri për parkingun tek armët

Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot se ndaj djalit të deputetit socialist Spartak Brahos është organizuar një atentat por që ka dështuar, ngjarje e ndodhur më 18 gusht, pra 8 ditë më parë.

Në këtë datë, në qytetin bregdetar, ka patur një konflikt për çështjen e parkingjeve ku janë përfshirë disa persona.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të portit të qytetit, ku djemtë e deputetit Spartak Braho kanë një lokal.

Në komunikatën e policisë së Durrësit një ditë më vonë, por që referon ngjarjet e 18 gushtit, bëhet me dije se ishte shpallur në kërkim një 26 vjeçar, i cili kishte kanosur me armë zjarri shtetasin K.B, 35 vjeç, banues në Durrës.

Një nga djemtë e deputetit Braho, quhet Kreshnik Braho, me profesion prokuror.

Në një komunikatë tjetër të po asaj dite, thuhet se A.B, 38 vjeç (Arbër Braho) është proceduar pasi ka goditur me sende të forta dy persona, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim nga policia për kanosje me armë zjarri.

Kanë qenë personat e dhunuar ata që kanë kërcënuar me armë djalin tjetër të deputetit socialist.

Njoftimet e policisë:

Durrës/Më datë 19.08.2019 filloi procedimi penal për shtetasin A.B., 38 vjeç, banues në Durrës, sepse më datë 18.08.2019, në lagjen Nr. 4 Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta shtetasit A. K., 58 vjeç, dhe L.K., 30 vjeç duke i shkaktuar dëmtime trupore. Neni 89 i K.P.

Durrës/ Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit L.K., 26 vjeç, banues në Durrës  pasi për motive të dobëta dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dhe i ka thyer xhamat e 2 mjeteve shtetasit K.B., 35 vjeç, banues në Durrës.

https://www.syri.net/politike/276410/dy-persona-me-kallashnikove-e-prisnin-te-hyrja-e-pallatit-si-i-shpetoi-atentatit-djali-i-spartak-brahos/