Mesfushori i Interit pranë huazimit te klubi rus

Mesfushori portugez Joao Mario është vetëm një hap largimit nga Interi, për t’u transferuar në kampionatin rus, ku është skuadra e Lokomotivës së Moskës, që ka ndërmend të vërë bast mbi cilësitë e tij.

Klubi rus është ofruar për ta marrë portugezin në huazim një vjeçar, me të drejtë blerjeje për shifrën e 15 milionë eurove, ndërsa vetë Joao Mario ndodhet në zyrat e Interit, për të diskutuar detajet e fundit të operacionit.

Joao Mario erdhi tek Interi verën e 2016-ës, menjëherë pasi u shpall kampion Europe me Portugalinë, por nuk arriti të bindë asnjë nga shumë trajnerët që janë ndërruar në pankinën zikaltër gjatë kësaj kohe.

Aktualisht mesfushori nuk bën pjesë në planet e Antonio Contes dhe dëshiron një klub tjetër ku të mund të luajë rregullisht, pasi verën e ardhshme është sërish Kampionati Europian dhe pa minuta në këmbë, vështirë se grumbullohet.