Kriminalizimi i politikës/ Duka: Largimi i Ramës dhe zgjedhjet e lira, 'shërimi' i vetëm

"Rezultatet e deritanishme të dekriminalizimit dëshmojnë drejtësinë e kauzës sonë".

Kështu shprehet në një reagim të tijin në Facebook kryetari i PAA-së, Agron Duka.

Sipas tij, përgjegjës për kriminalizimin e politikës në vend është kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama.

"Nuk janë shkurtabiqët, pra personazhet e rangjeve të ulëta të PS-së, që kanë përgjegjësi për situatën e krijuar në vend, por është vigani, ai që kryeson këtë forcë politike", shkruan ndër të tjera Agron Duka.

Reagimi i plotë i Agron Dukës:

Beteja e opozitës për të zhbërë simbiozën midis politikës dhe krimit nuk ka qenë e lehtë, megjithatë rezultatet e deritanishme të dekriminalizimit dëshmojnë drejtësinë e kauzës sonë. Rënia e njëpasnjëshme e drejtuesve të komiteteve ekzekutive, të shpallura në 30 qershor, shënon fundin e lojës vigani-shkurtabiqi me anëtarët e mazhorancës.

Nuk janë shkurtabiqët, pra personazhet e rangjeve të ulëta të PS-së, që kanë përgjegjësi për situatën e krijuar në vend, por është vigani, ai që kryeson këtë forcë politike.

Ky vullnet politik, që ka sjellë përfshirjen e krimit në politikë-bërje, ndërpritet vetëm duke larguar kryeminsitrin aktual, duke ngritur një qeveri kalimtare që të çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë të domosdodhme për t’i dhënë legjitimitet Parlamentit dhe një hov të ri politikës shqiptare.