Haradinaj 'falet' tek varri i Ibrahim Rugovës, shkon dhe takon familjen e tij

Ramush Haradinaj, kryeministri i dorëhequr i Kosovës, ka bërë homazhe në varrin e Presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe një vizitë në familjen e tij.

Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se “vizioni politik i presidentit Rugova përveç që është vlerë e patjetërsueshme, na shërben edhe si pikënisje, se sovraniteti dhe integriteti i shtetit, janë parime të paprekshme dhe të panegociueshme.

Në shenjë nderimi për angazhimin e tij jetësor për shtet të pavarur e paqësor, si dhe orientimin properëndimor të Kosovës, sot, kam bërë homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Po ashtu, në një vizitë miqësore ndava disa çaste me familjen e respektuar Rugova, një traditë e marrëdhënies së mirë dhe e respektit të ndërsjellë.”