Luksi i shfrenuar i qeverisë/ Prova dhe fakte të reja që rrëzojnë pretendimet e Etilda Gjonajt

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka bërë një reagim publik lidhur me lajmet publikuar ditët e fundit, ku përmes faturave të hoteleve tregohej se si ajo paguante 700 euro nata në udhëtimet e saj jashtë vendit. 

Në sqarimin e saj, Gjonaj ndër të tjera shprehet se, fatura e publikuar në media është shpenzuar nga i gjithë stafi i saj për qëndrimin dy netë në varësi të axhendës ndërsa shton se në përgjithësi hotelet dhe vendet e qëndrimit zgjidhen nga organizatorët e aktiviteteve.

Por faturat që sjellim më poshtë tregojnë krej të kundërtën.

Ministrja e Ramës jo vetëm që nuk ka paguar për gjithë stafin, por siç shihet në fatura ka qenë e vetme në dhomë.

Sipas faturave, për një natë qëndrimi në Bruksel, në King Superior Room, Gjonaj ka shpenzuar 543 euro. Bëhet fjalë për hotelin Steigenberger Wiltcher’s Brussels.

Në një faturë tjetër, po në kryeqytetin Belg, ku ministrja ka qëndruar nga 19 deri në 21 qershor, janë paguar plot 1320 euro.

Ndërsa për dy ditë qëndrimi në një prej hoteleve më luksoze të Londrës, Corinthia Hotel, 4-6 shkurt, ministrja Gjonaj i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë plot 1291 paundë.

 

Por nuk mungojnë as Italia në udhëtimet luksoze të Gjonajt.

Siç mund ta shihni në faturën e mëposhtme, Gjonaj ka qëndruar edhe në Via Veneto, një prej zonave më luksoze të kryeqytetit italian Romë, rrugë në të cilën nuk gjendet asnjë institucion shtetëror. Për një natë qëndrimi janë paguar 706 euro.

Shpresojmë që, pas publikimit të fakteve të reja, ministrja Etilda Gjonaj të gjejë një justifikim tjetër, disi më të besueshëm... /Syri.net

https://www.syri.net/politike/276192/luksi-i-shfrenuar-i-ministres-se-rames-ja-si-justifikohet-etilda-gjonaj/