Krimet komuniste të komunizmit/ 'Çeliku i Partisë' në Elbasan harxhonte 10% të importeve, eksportonte 1% mallra

Komunizmi në Shqipëri nuk ka kryer vetëm krime kundër njerëzimit, por edhe krime në ekonomi.

Lënia në dorë e fateve të vendit tek njerëz të dështuar dhe injorantë sollën edhe rrënimin ekonomik të tij, përveçse se rrënimit në çdo fushë tjetër.

Shembulli më i mirë për këtë është Kombinati Metalurgjik në Elbasan, i quajtur në atë kohë “Çeliku i Partisë”.

Ja çfarë shkruan studiuesi Kastriot Dervishi:

Bilanci tregtar i Shqipërisë në vitet ’80 ishte rreth 400 milionë dollarë eksporte dhe po kaq importe. Politika në drejtim të importeve ishte krejtësisht e gabuar. Shumica e mallrave shkonte për industrinë e rëndë apo atë të nxjerrjes së naftës. Regjimi importonte tuba pafund, të cilat vendoseshin në burime imagjinare nafte, etj.

Një shembull për ekonominë katastrofale komuniste lidhet me Kombinatin Metalurgjik “Çeliku i Partisë” Elbasan, i cili kish nisur të ndërtohej në tokë buke në vitin 1962, por kurrë nuk mbaroi së ndërtuari. Dokumentet e shumta tregojnë se ndërtimi i tij ishte një çmenduri, një veprim megaloman me pasoja të rënda ekonomike, ekologjike, demografike, njerëzore, etj. Vetëm për t’u dukur se partia nuk kish gabuar, ai mbahej në këmbë kot së koti me harxhime të shumta.

Në plenumin e 23-24 shtatorit 1988, ministri përgjegjës që mbulonte fushën e metalurgjisë deklaroi ndër të tjera se për të mbajtur në gjendje pune kombinatin, nga importi harxhoheshin 40 milion dollarë (25 milion vetëm për qymyrin koks).

Kjo shifër përbënte rreth 10% të gjithë importeve që merrte Shqipëria nga jashtë. Ky kombinat i jepte eksporteve rreth 4 milion dollarë ose 1% të gjithë vëllimit të tyre. Po të shtojmë këtu edhe vlerat e investimeve dhe harxhime të tjera, përllogaritja e parasë së shkuar kot, kap shifra stratosferike.