Reagon PD: Pjerin Ndreu do të ikë me pranga në duar nga Bashkia e Lezhës

Ivi Kaso, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, i është kundërpërgjigjur sot, Pjerin Ndreut, kryebashkiakut të emëruar nga Edi Rama në Lezhë se ai do të dalë me pranga para drejtësisë, ashtu si çdo mbështetës tjetër i kryeministrit i kapur në përgjime, me prova dhe fakte, për vjedhjen e votave. Reagimi erdhi pas një mesazhi të Ndreut në Fb për kreun e opozitës, Lulzim Bashën.

Ivi Kaso i ka sjellë në kujtesë Ndreut edhe përgjimet ku Pjetri dëgjohet duke i bërë presion drejtorit të një shkolle që të detyrojë njerëzit të votojnë për PS-në dhe ka theksuar në vijim: “Reagimi i Pjerin Ndreu është ai i një trafikanti, që ndjehet i sigurtë nga mburoja e bosit të trafikantëve dhe kriminëleve, i ulur në karrigen e kryeministrit të vendit.

Lulzim Basha patjetër që do të vijë  në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj për të drejtuar vendin dhe për t’u hapur rrugë planeve të zhvillimit në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Por si fillim, Bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!

Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme!” ka përfunduar me ironi Kaso.