Aksioni anti-informalitet/ Gjoçi në Syri TV: Show në kurriz të shqiptarëve, nuk është detyra e Policisë

I ftuar në Syri TV, ish drejtuesi i Policisë së Shtetit Ilir Gjoçi, ka komentuar situatën e rënduar me krimin në vend.

Sipas tij, vrasjet mafioze nuk mund të parandalohen, por shtoi se, Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën e saj, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe shpëtimin e jetëve.

“Vrasjet e tipit mafioz janë të vështira për tu zbardhur, por kjo nuk do të thotë se Policia nuk duhet të zbardhë ngjarjet, mbi të gjitha kur personat janë individë me precedentë penalë”, u shpreh Gjoçi.

“Policia nuk mund të marrë urdhëra politikë. Sezoni i verës është më i ngarkuari ndaj dhe policia duhet të fokusohet te puna e saj. Nëse ne vazhdojmë dhe ecim me aksione, që të kujtojnë aksionet e kohës së Enverit, kjo nuk është punë e Policisë së Shtetit, por e pushtetit lokal. Angazhimi i shumë forcave policore në këto aksione janë një show në kurriz të qytetarëve", deklaroi ish drejtuesi i Policisë së Shtetit.

Sa i përket dokumentarit të RAI 3, sipas të cilit 1/3 e Shqipërisë është e mbushur me kanabius, Gjoçi deklaroi se, në vend mbillet e korret kanabis çdo ditë.

"Historia e kanabisit në vitet 2015, 2016 dhe 2017 ishin të tmerrshme për imazhin e vendit duke u quajtur edhe Kolumbia e Europës. Ne kemi informacione se çdo ditë mbillet dhe korret hashash", tha Ilir Gjoçi. /Syri.net