Euronews konfirmon votën 'jo' të Francës dhe Holandës, Soreca na ngushëllon me thëniet e Çurçill

Në një prononcim për Euronews, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, pikëpyetjeve ndaj Shqipërisë për të avancuar drejt BE-së zgjodhi tu përgjigjej nëpërmjet fjalëve një politikani të njohur botëror, i cili ka jetuar përpara se të krijohej BE. ‘Ky është fundi i fillimit, jo fillimi i fundit’, ka cituar ai  Winston Churchill kur u pyet, se në cilën fazë është Shqipëria në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në BE.

Euronews shkruan se rreth 91% e popullsisë së Shqipërisë janë pro anëtarësimit në bllokun europian, por thekson gjithashtu se kohët e fundit francezët dhe holandezët, duket se po bllokojnë bisedimet e pranimit.

“Vendimi në tetor është i rëndësishëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur mjaftueshmërisht detyrimet kundrejt Komisionit Europian, por le të them progres të mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtar i BE-së. Siç mund ta dini, Winston Churchill thoshte se ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Por pikërisht sepse kanë bërë punën e kërkuar, Bashkimi Europian duhet të ketë kujdes me vendimin. Është e rëndësishme që populli shqiptar, ky 91 përqindëshi që përmenda më parë, të vazhdojë të besojë në perspektivën e Bashkimit Europian. Unë kam besoj se ata do vazhdojnë të besojnë, por Bashkimi Europian duhet të mos ua presë shpresat që kanë”, deklaron ambasadori.

Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur probleme të sundimit të ligjit që kanë pasur ngadalësim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, komenton media e madhe europiane. Në këtë kuadër Soreca thotë se ka progres, por ka fusha ku administrata shqiptare duhet të vazhdojë punën, siç janë lufta kundër korrupsionit, krimit të  organizuar dhe reforma zgjedhore.

“Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin, dhe të ketë gati dokumentacionin që ministrat e BE-së të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por procesi i reformave nuk ndal asnjëherë, duhet të vazhdojë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën. Një shembull është lufta kundër korrupsionit që është një sfidë e përditshme, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i drogave po ndërron lëkurën në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale dhe të mos bëhet diferencë mes drogave të lehta dhe atyre të forta. Pastaj është reforma elektorale.

Është e qartë se votimi i fundit në qershor tregon se sa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj thellësisht tjetër për çështjet elektorale që ata të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Në fund është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit, apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të mos e humbasin fokusin, duke marrë parasysh se Eurobarometri i fundit që u publikua nga Bashkimi Europian vetëm pak ditë më parë, vazhdon që ta vendosë Shqipërinë me një distancë tejet të largët në krye të rajonit me 91 për qind të popullsisë që dëshiron të bashkohet me familjen europiane”, ka deklaruar ambasadori i BE në Tiranë, për Euronews.

Pak ditë më parë për të njëjtin gjigant mediatik europian ka folur për të njëjtën çështje, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por sipas tij fajtorët për ngeljen në klasë në rrugën drejt BE-së nuk janë “korrupsioni dhe krimi i organizuar” por vetë vendet anëtare të unionit të cilat madje edhe i ka kërcënuar duke deklaruar se në rastin e mos hapjes së negociatave, vendi ynë mund të shkojë drejt Lindjes, gjë që nënkupton faktorin rus dhe turk.