Partizani sfidon temperaturat e larta, përgatitet për Superkupën

Pas testit miqësor të zhvilluar të shtunën ndaj Laçit, Partizani ka nisur sot përgatitjet për përballjen e Superkupës ndaj Kukësit.

Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda, ka zbritur ditën e sotme në fushë për të përgatitur finalen, e duke sfiduar në të njëjtën kohë të nxehtin e madh që ka pushtuar vendin.

Seanca e sotme është zhvilluar paradite në qendrën stërvitore në Kamëz. Lerda ka punuar me grupin e plotë të futbollistëve duke mos vuajtur në këtë mënyrë asnjë dëmtim apo mungesë.

Finalja do të luhet të dielën, në datën 18 gusht në “Elbasan Arena”, ora 19:00, aty ku skuadrat synojnë trofeun e parë sezonal.