Holandezët ‘bilanc lufte’ me të nxehtin, 400 të vdekur nga vapa
Vala e të nxehtit që përshkoi Europën në korrik, ka rezultuar fatale në vdekjen e parakohshme të rreth 400 personave në Holandë. Temperaturat arritën kulmin më 25 korrik dhe rezultuan vdekjeprurëse veçanërisht për moshat e treta. Edhe në Belgjikë mbi 100 veta kanë humbur jetën nga temperaturat e larta.
Holanda raporton se vetëm në javën e tretë të korrikut në vend u regjistruan 2,964 vdekje në total.
Numri është 15 për qind më i lartë sesa në një javë normale vere.
Kjo sipas agjencisë holandeze të statistikave, interpretohet pikërisht me temperaturat ekstreme, duke marrë për bazë edhe të dhënat e ngjashme në vitin 2006, kur vendi sërish përjetoi disa valë vape mbytëse.
Më 25 korrik të këtij viti, në Holandë u shënua temperatura rekord prej afro 41 gradë Celsius.
Në situatë të përafërt u gjendën Gjermania dhe Belgjika, ndërsa Franca arriti ekstremin kombëtar prej 42.6 gradë Celsius.
Nxehtësia e madhe ka qenë veçanërisht vdekjeprurëse për moshat e treta dhe rreth 300 holandezë që ndërruan jetë, ishin të moshave mbi 80 vjeç.
Edhe në vendin fqinj, në Belgjikë, Instituti i Shëndetit raportoi të enjten se rreth 102 persona gjetën vdekjen e parakohshme për shkak të të nxehtit.
Specialistët e klimës paralajmërojnë se valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta me ngrohjen më tej të planetit si pasojë e gazrave serë.