Skënderbeu bën dy përforcimet e para, e nis nga porta dhe nga mbrojtja

Vetëm pak orë pas zyrtarizimit të trajnerit Ilir Daja i cili u rikthye te korçarët, Skënderbeu ka zyrtarizuar edhe dy afrimet e para në merkato, emra që u zbuluan edhe nga trajneri në konferencën për shtyp.

Enea Koliçi dhe Marvin Turtulli janë lojtarët më të rinj të Skënderbeut.

Gardiani pogradecar ka firmosur për një vit me bardhekuqtë dhe vjen nga skuadra e Flamurtarit ku sezonin ishte padiskutueshëm duke bërë paraqitje të shkëlqyera, ndërkohë që Turtulli pasi u largua nga Tirana nuk vonoi shumë për të gjetur një skuadër të re.

Qendërmbrojtësi 24-vjeçar siç e konfirmon vetë klubit i Skënderbeut ka firmosur për 3-vite me bardhekuqtë dhe është një investim për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

“Pas akordit paraprak, klubi ka nënshkruar sot me 2 lojtarë. Gardiani Enea Koliçi dhe mbrojtësi Marvin Turtulli prej sot janë zyrtarisht lojtarë të Skënderbeut.

Enea Koliçi ka nënshkruar me presidentin Ardjan Takaj kontratën që e lidh me klubin bardhekuq për një sezon. 33-vjeçari do të mbajë në shpinë numrin 1.

Prapavijën e plotëson Marvin Turtulli. 24-vjeçari ka nënshkruar kontratën që e lidh me KF Skënderbeu për 3 sezone.

Ish-lojtari i Dinamos, Teutës, Kukësit dhe Tiranës shihet si një përforcim mjaft i rëndësishëm për të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e klubit korçar.