Milinkovic-Savic i ‘ngel në derë’ Lazios, dëmtohet në miqësore

Sergej Milinkovic-Savic rrezikon të mungojë për disa javë. Dëmtimi që pësoi mesfushori serb në miqësoren që zhvilloi Lazio paraditen e kësaj të mërkure ndaj Al Shabab, e cila përfundoi me fitoren 5-1 të bardhekaltërve, ka rezultuar më i rëndë nga sa parashikohej fillimisht.

Milinkovic-Savic i cili hyri në fushë vetëm në pjesën e dytë u zëvendësua pas vetëm 23 minutash lojë, për shkak të një problemi në kofshën e djathtë.

Nuk bëhet fjalë për një dëmtim muskulor, por për një problem në tendinë që mund ta detyrojë Milinkovic-Savic të humbasë 2 javët e para të Serie A.

Serbi edhe këtë verë ishte shumë pranë largimit nga Lazio me destinacion të ri Manchester United, por në fund Lotito dhe Tare vendosën të refuzonin ofertat e ardhura nga “Djajtë e Kuq” dhe ta mbanin lojtarin në gjirin e tyre.