Talenti shqiptar firmos me klubin italian

Nuk janë vetëm emrat e njohur të futbollit shqiptar ata që kanë ndërruar skuadër gjatë verës në kampionatet e huaja, por edhe lojtarë të cilët kanë qenë apo janë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë.

Një prej tyre është edhe Galip Arapi, i cili i është bashkuar së fundmi përfaqësueses U19 të Shqipërisë.

Arapi ka spikatur në akademinë e Empolit dhe vitin e kaluar u transferua për një sezon në formë huazimi te skuadra e të rinjve të Lazios, duke u aktivizuar me këtë të fundit.

Por në mbyllje të edicionit ai u kthye përsëri në bazë, në kërkim të një sistemimi të ri për të luajtur sa më rregullisht.

Klubi i Pizës ka përfituar nga rasti që është shfaqur dhe ka gjetur akordin me Empolin, duke siguruar firmën e futbollistit shqiptar 18-vjeçar, i cili do të regjistrohet në këtë edicion me të rinjtë, por nuk është aspak çudi që të ketë mundësinë që të luajë edhe me skuadrën e parë që këtë vit do të marrë pjesë në kampionatin e Serisë B.