Rrofsh e qofsh, Sali Berisha!

Nuk më hiqet nga goja Sali Berisha. U bëra si Rama.

Erdha dje nga Ohri dhe në kufi mjaftoi veç karta e identitetit. Kaq dhe rruga e mbarë më tha maqedonasi. Bravo, Sali që na e mundësove, thashë.

Para dy javësh shkova në Selanik dhe sa tregova pasaportën në Kapshticë më tha polici grek, go, Gimo, go!

Eh, Sali na kënaqe me heqjen e vizave, fola.

Sa erdha në Tiranë poshtë derës më priste fatura e ujit. E ujit i thënçin se qe mbushur dingas me taksa e tarifa.

Plot 3 mijë të reja. Sali ku je, më klithi shpirti. Nuk kisha ato vite ujë 24 orë, por më shumë se sot ‘këndonte’ rubineti dhe paguaja veç 120 lekë. Po, po 120 lekë. I ruaj ato fatura si lot nostalgjie.

Të hënë mata kohën nga Tirana deri në Elbasan. Plot 18 minuta, më afër se sa Kombinat-Kinostudio me autobusët mesjetarë të Lali Erit.

Bravo Sali, më doli nga zemra. Kështu edhe kur shkoj në Gramsh, Belsh, Vlorë, Tepelenë, Sarandë... Apo kur mbërrij në Prishtinë e uroj Saliun familjarisht.

Po ngjaj si Edi Rama tani. Nuk më shqitet që nuk më shqitet Saliu nga goja.

Mbeta duke përmendur e përmendur emrin e tij.

Eh, mor Edvin, ç’më bëre! Mora krejt huqet e tua...