Braçja, ‘njeriu merimangë’ i Financave të Rilindjes

Sot zëvendësi i Edit, Braçja, ishte në kulmin e “shpërthimit” të tij. Në mëngjes na u mburr se u mbyll kazinoja, pasdite i ra vrulli. Kazinoja na paska një NIPT tjetër nga ai i kafes. Kush tjetër veç tij nuk e di, këtë gje. Edhe kafetë nga njëra-tjetra, edhe restaurantet kanë NIPT-e të ndryshme.

Para sa të rrahë gjoksin me aksionin “spektakolar” anti-informalitet, që nuk njeh miq apo shokë sipas tij, të na tregojë pak çfarë u be me ato 50 milionë eurot e akcizës së naftës që “u humbën” para dy vitesh nga uzina e Ballshit! Po me rrogat e punëtorëve dhe sigurimet e tyre?

Nuk ka përgjigje e di! Në këtë rast Braçja nuk mjaullin dot.

Po 140 milionët e Becchetit kush do i paguajë zoti zëvendës i Edit?

Sigurisht biznesi i vogël edhe i mesëm që po ja marrin shpirtin me taksa, gjoba dhe kontrolle.

Ndërkohë, kompanive milionere dhe atyre të PPP-ve i bënë dhuratë një ligj anti-kushtetues, atë të dividentit. Ligji i parë në historinë e jurisprudencës evropiane në fushën e taksave dhe tatimeve, që ka fuqi prapaveprues. Por edhe për këtë skandal Braçe nuk belbëzon dot.

Tashmë, q[ "Superman"-i i parë i Rilindjes mori vulën e turpit nga DASH, Braçja nxitoi t’i zerë vendin duke u shndërruar në “Njeriun merimangë”.

Shtroj pyetjen për z. Braçe: nga gjithë kjo dhunë, presion tatimor, linçim publik i bizneseve, a thua grumbullojmë dot aq para sa kushton një kilometer rrugë nga tenderi i Unazës së Re? 

Me gjithë këtë dhunë ndaj bizneseve të vogla e të mesme, se ndaj këtyre të mëdhenjve e di që është një show i turpshëm, sa para do të grumbulloni? 

Sa biznese të vogla edhe të mesme do gjobisni dhe do terrorizoni për te mbuluar “humbjen” prej 200 milionë eurosh nga projekti i parë tek PPP-ja e Balldren-Milot?

Sa biznese do çoni drejt mbylljes për të paguar për punë të pakryer Vilmën, për koncensionin e analizave?

Sa biznese të tjera do gjobisni për PPP-në e Orikum-Dukat?

Sa bizneseve do i merrni shpirtin për të plotësuar paratë e tunelit të shembur të Rrugës së Arbrit?

E di që Braçja nuk jep përgjigje për PPP-të, ndryshe nuk do bllokonte amendimet e ligjit të PPP-së në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për tre vite.