‘Te Teatri ka interesa mafioze’/ Budina: ‘Policët na dhunuan si trafikantë droge’

Në një intervistë për “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News 24, aktivisti i Teatrit, regjisori Edmond Budina, u shpreh se projekti për ndërtimin e një Teatri të ri konsiston në interesa mafioze dhe afera të tmerrshme dhe se pushtetarët që synojnë zbatimin e tij “janë më kriminelë se të gjithë”.

“Kjo i nxjerr zbuluar ata pushtetarë që ngulin këmbë, është një aferë e tmerrshme. Ka interesa mafioze aty, dhe për këtë jam i bindur. Ajo është një skenë e jashtëzakonshme, fajin e kanë ata që duan ta prishin, ata janë më kriminelë se të gjithë.”-u shpreh regjisori.

Aktori foli i tronditur mbi sulmin e ushtruar ndaj tij nga forcat policore, duke theksuar se është goditur në befasi, kur mungonin kamerat.

“Kam qenë në vitin 1991  në protesta dhe ka pasur letra kërcënimi, por askush nuk ka vënë dorë. Sido të ishte, dorë nuk ka vënë njeri. Për çdonjërin nga ne ishin 3-4 policë. A thua se ne ishim trafikant droge, a ishim ata që merren me Toyota Yarisa ata që vjedhin paratë publike. Policët ndoqën në fakt një metodë të sofistikuar. Ne ishim 40 vetë gati, ndërsa ata ishin afër 200. Ishim shumë më pak. Ata përfituan se nuk kishte kamera dhe më goditën. Edhe gratë i kapën e i hodhën këtej sikur të ishin lecka. E gjitha kjo nuk u kap nga kamerat. Të të marrin në atë formë është e tmerrshme. Jam tronditur tej mase.”

Regjisori ka shpjeguar më tej simbolikën e shfaqjes që do të vihet sot në skenën e TK-së, veprimtaria artistike e të cilit është ndërprerë prej rreth një viti e gjysmë, duke u zhvendosur përkohësisht tek “ArTurbina” deri në finalizimin e parashikuar të projektit për ndërtimin e një godine të rë.

“Mbase mund të bëj edhe unë ndonjë shfaqje në skenë, do improvizoj. E rëndësishme është simbolika që ai teatër rizgjohet, frymëzon njerëzit të ndjehen të lirë. Është një propagandë e tërë, ka shumë njerëz që thonë ‘aty ka minj, kacabunj’, gati të thonë se aty do dalin edhe kuçedra. Jo, aty është një skenë, që funksiononte më së miri deri para një viti.”

Budina ka hedhur poshtë arsyetimin e kryeministrit Edi Rama, të ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe të kryebashkiakut të Tiranës, Erion  Veliaj, duke sjellë shembuj nga përvoja e tij në teatro të ngjashëm në Itali. “Unë kam luajtur në sallat më të bukura të Italisë. Askund nuk kam parë të shkatërrohen teatrot e vjetra, janë fiks si kjo e jona. Sigurisht që duhen disa teatro të reja, duhet një Teatër i ri Kombëtar i jashtëzakonshëm nëse ka mundësi të bëhet. Pse të mos i kemi edhe sot sallat që kishim në komunizëm. Pse duhet të shkatërrojmë këto salla që kemi? Tirana ka nevojë të shpërqendrohet në këtë drejtim, të jetë në shumë vende.”