FOTO/ Artistët thirrje Parlamentit Europian: Na dhunuan në tempullin tonë

Artistët kanë vendosur që ti bëjnë thirrje Parlamentit Europian pas dhunës që policia e Edi Ramës ushtroi ndaj tyre mu në ‘shtëpinë e tyre’.

‘Ne, artistët dhe qytetarët e Tiranës, si dhe miqtë tanë nga gjithë Evropa të mbledhur rreth Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit rezistojmë që prej një viti e gjysmë duke krijuar barrikadë njerëzore brenda dhe rreth Teatrit.

Sot, më datë 24 korrik, forcat e policisë së rendit për herë të parë dhunuan fizikisht artistët, intelektualët dhe qytetarët e Shqipërisë në mbrojtje të ndërtesës publike, truallit publik dhe interesit publik. U dhunua në mënyrë çnjerëzore Edmond Budina, regjisor dhe aktor teksa qëndronte në mbrojtje të teatrit.

Kërkojmë urgjentisht mbështetjen politike, institucionale, morale dhe njerëzore të mbarë hapësirës europiane, që ky projekt kulturevrasës i qeverisë shqiptare të ndalet para se të jetë vonë’, shkruhet në Manifestin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Më poshtë keni Manifestin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

Qytetarë të Evropës, njerëz të skenës dhe të artit, arkitektë, akademikë dhe ligjvënës të Parlamentit Evropian:

Prej një viti e gjysmë qytetarët e Tiranës janë ngritur në mbrojtje të ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar, të cilën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj synojnë ta shembin për hir të interesave të tyre korruptive.

Trualli mbi të cilin ngrihet Teatri, i cili është në pronësi publike, është planifikuar të tjetërsohet përmes një projekti korruptiv për të cilin u miratua një ligj special antikushtetues që i jepte një kompanie të preferuar nga Kryeministri të drejtën për shembjen e Teatrit dhe zhvillimin e projektit.

Ky ligj u miratua nga Parlamenti, edhe pse presidenti refuzoi ta dekretonte dy herë pasi ai u gjet në shkelje të Kushtetutës.

Aktualisht Kryeministri i Shqipërisë ka uzurpuar të gjitha pushtetet – ekzekutivin, parlamentin dhe gjyqësorin. Nëpërmjet një pseudoreforme në drejtësi ai ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese. Ndaj në Shqipëri nuk ekziston asnjë instancë, në të cilën ky ligj korruptiv të mund të ankimohet.

Ne, artistët dhe qytetarët e Tiranës, si dhe miqtë tanë nga gjithë Evropa të mbledhur rreth Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit rezistojmë që prej një viti e gjysmë duke krijuar barrikadë njerëzore brenda dhe rreth Teatrit.

Sot, më datë 24 korrik, forcat e policisë së rendit për herë të parë dhunuan fizikisht artistët, intelektualët dhe qytetarët e Shqipërisë në mbrojtje të ndërtesës publike, truallit publik dhe interesit publik. U dhunua në mënyrë çnjerëzore Edmond Budina, regjisor dhe aktor teksa qëndronte në mbrojtje të teatrit.

Kërkojmë urgjentisht mbështetjen politike, institucionale, morale dhe njerëzore të mbarë hapësirës europiane, që ky projekt kulturevrasës i qeverisë shqiptare të ndalet para se të jetë vonë.

Qytetarë të Europës! Institucione evropiane!

Mbështetja juaj sot është treguesi i një të ardhmeje të përbashkët nesër, të bazuar mbi ligjin, vlerat dhe një qytetërim të përbashkët evropian.