FOTO/ Gomonia defekt në det, shpëtohen dy persona, nisin hetimet për trafik

Një gomone ka pësuar defekt në det dhe në pamundësi për ta riparuar, dy personat që ndodheshin në të kanë kërkuar ndihmën e policisë bregdetare.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme në brigjet e Vlorës, pranë ishullit të Sazanit. Gomonia me emrin ‘Stuhia 1375’, me 2 persona në bord, me shtetësi shqiptare ka, ka pësuar defekt në një motor dhe është këputur sistemi i drejtimit (timoni).

Kjo ka bërë që dy personat në bord të kërkonin ndihmë, dhe menjëherë pranë tyre ka shkuar roja bregdetare dhe policia kufitare të cilët i kanë shpëtuar, ndërsa kanë nxjerrë mjetin lundrues në breg.

Personat, ende të paidentifikuar janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nuk dihet ende arsyeja e lundrimit të tyre me gomone pranë ishullit të Sazanit.

Nga ana e saj policia ka nisur hetimet pas dyshimeve se mjeti lundrues po përdorej për trafik droge. Për këtë arsye po verifikohet dokumentacioni i mjetit lundrues.