Liverpooli dështon në SHBA për të dytën herë radhazi

Liverpooli është mposhtur me rezultatin 2-1 nga Sevilla në një ndeshje miqësore parasezonale të zhvilluar në SHBA, e cila megjithatë u prish nga ndërhyrja e ashpër e Joris Gnagnon ndaj Yasser Larouci.

Ylli i Liverpoolit, Larouci, u dëmtua rëndë pas asaj ndërhyrjeje dhe u dërgua jashtë fushës me barelë.

Divock Origi shënoi golin e vetëm për skuadrën e Jurgen Klopp, por dy gola nga Nolito dhe Alejandro Pozo i dhanë klubit spanjoll fitoren ndaj kampionit të Championsit.

Sevilla luajti me 10 futbollistë në minutat e fundit të ndeshjes, por ia doli ta ruajë epërsinë.

Kjo është humbja e dytë radhazi brenda pak ditës për të kuqtë, pasi të premten i mundi edhe klubi gjerman, Dortmund, në një ndeshje tjetër miqësore në turin përgatitor në SHBA.