Shpërthen Rudi Vata: Skënderbeu u bë viktimë e sistemit që ndërtoi vetë

I ftuar special në një lidhje “live” nga Shkodra për emisionin, “Rubrika Sportive”, ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, foli në lidhje me lënien në fuqi të dënimit 10-vjeçar të Skënderbeut nga CAS-i, ku u shpreh:

“Futbolli shqiptar në Shqipëri është i korruptuar në çdo qelizë. Gjithë institucionet janë të korruptuar. E kanë korruptuar aq sa munden. Skënderbeu është viktimë e sistemit që ndërtoi vetë. Ata njerëz që ndërtuan Skënderbeun e ndërtuan me qëllimin që janë të paprekshëm dhe të pakapshëm. Futbolli në qoftë se e dhunon, të dhunon dhe të dënon.

Gjithsecili merr atë që meriton. Takaj foli si politikan, për t’i mbushur mendjen popullit. Është një kohë reflektimi për të marrë përgjegjësitë dhe për të ndërtuar një model tjetër më të shndritshëm. Është bukur të fitosh lekët me sakrificë si Ronaldo si Messi. Këto janë shembujt”.