Pse është anormale të pyesim që a është gati Lulzim Basha për të ardhur në pushtet

Në 30 Qershor kjo republikë u shemb përtokë plotësisht. Në fakt kishte kohë që kishte rënë, por tani rënia është e qartë edhe për më naivët dhe apolitikët.

Ajo u shemb në të gjitha cilësitë dhe atributet që e përbëjnë apo përkufizojnë një republikë.

Sepse, pas 30 Qershorit , pushteti legjislativ, pushteti egzekutiv, pushteti gjygjësor dhe i ashtuquajturi pushteti i katërt, pushteti i shtypit kanë rënë plotësisht në duart e kryeministrit.

Ka rënë në kuptimin e ndarjes së pushteteve. Kryeministri u kthye në president duke urdhëruar KQZ-në të mos njohë dekretin e presidentit. Rast i padëgjuar mbase edhe në Afrikë.

Ka rënë në kuptimin e institucioneve të pavarura. Në krye të tyre janë vendosur kamikazë të emëruar nga kryeministri , të cilët nuk njohin ligj tjetër përveç fjalës së kryeminstrit, dhe nuk njohin kushtetutë përveç servilizmit. Në rastin e fundit KQZ-u kthye në një vegël në duart e kryeministrit, ndërsa kolegji zgjedhor duke shkelur hapur ligjin dhe kushtetutën, zbatoi vetëm urdhrat politikë të Ramës.

Ka rënë gara politike. Ndoshta është rast unikal botëror, që në një sistem demokratik pluralist, një parti konkuron e vetme në zgjedhje, duke shkelur hapur jo vetëm ligjin dhe kushtetutën, por edhe të drejtat universale të qytetarëve për zgjedhje të lira.

Ka rënë prej kohësh gara ekonomike. ‘Miqtë’ e kryeministrit tashmë fitojnë çdo tender apo PPP duke i ngulur kështu drejt e në zemër thikën tregut të lirë dhe kapitalizmit.

Ka rënë shtypi i lirë. Media dhe portalet janë tërësisht të kapura dhe së fundmi me ligjin antishpifje, janë edhe lehtësisht të kërcënueshme dhe shantazhueshme.

Pra, republika ka rënë dhe ky tashmë është një fakt i pakontestueshëm.

Tashmë kemi Ramën president, Ramën kryeministër, Ramën kryeprokuror, Ramën kryetar gjykatash, Ramën drejtor tatimesh, Ramën drejtor policie, Ramën kryetar bashkie, Ramën pronar mediash, Ramën kryeredaktor, Ramën gazetar.

Sot, nuk egziston më asnjë institucion , përveç institucionit me funksion gati honirifik të presidencës, që nuk kontrollohet nga Rama.

Shqipëria është kthyer përfundimisht në një diktaturë të pashpallur me një parlament tërësisht formal, ku nuk blegërin askush pa lejen e kryeministrit.

Ajo është kthyer në një rast unik botëror, që sigurisht do të kthehet në objekt studimi në shkencat politike në të ardhmen.

Derisa jemi përballë një situate të tillë, të një rasti atipik ‘qeverisjeje demokratike’ , është tejet amorale dhe anormale të pyesim që a është gati opozita dhe Lulzim Basha për të ardhur në pushtet.

Sepse, në këto kushte çdo gjë që ndryshon këtë realitet është më e mirë se ajo që aktualisht kemi.