VIDEO dorëheqja/ Të gjithë në krah të Haradinajt, përveç Edi Ramës

Në mënyrë të papritur mesditën e djeshme Ramush Haradinaj njoftoi dorëheqjen e tij nga kryeministër i Kosovës.

Në një deklaratë për mediat nga selia e qeverisë, Haradinaj u shpreh se ai po dorëhiqej pasi i kishte ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për tu intervistuar.

Haradinaj tha se ai bashkë me qeverinë që drejtonte, po largohej dhe se Kosova po shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë deklaratës së tij u shpreh se po shkonte në Hagë si qytetar i thjeshtë i shtetit të ri, e jo si kryeministër.

Pas këtij lajmi, mbështetja ndaj tij ka qenë masive.

Nga krerë shtetesh tek qytetarë të thjeshtë në Kosovë, Shqipëri e më gjerë dolën në krah të Haradinajt, duke e mbështetur për veprimin e tij prej burrë shtetasi dhe për faktin se ai po shkonte në Hagë si qytetar i thjeshtë.

Edhe Hashim Thaçi, me të cilin prej muajsh nuk ka bashkëpunim, në një deklaratë mbështeste Ramush Haradinajn.

I vetmi politikan që nuk bëri asnjë lloj deklarate për dorëheqjen dhe për shkuarjen në Hagë të Ramush Haradinajt, ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe pse harxhon thuajse gjithë kohën për të bërë propagandë nëpër Facebook dhe Twitter, Rama nuk shkrojti dot as një rresht për ti dalë në krah kryeministrit të gjysmës tjetër të shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, me pa apo me vetëdijen e tij, Edi Rama konfirmoi se të gjitha deklaratat që Ramush Haradinaj ka bërë ndaj tij, kanë qenë të drejta dhe të vërteta.

Kujtojmë këtu se në samitin e Berlinit, Haradinaj ia hoqi maskën kryeministrit të Shqipërisë dhe propagandës së tij populiste e gjoja atdhetare, duke deklaruar se Edi Rama ndryshe flet në samite të mbyllura dhe ndryshe flet për popullin.

Këto deklarata të Haradinajt nuk janë mohuar kurrë nga Edi Rama, ndërsa sot me mos reagimin e tij, ai thjeshtë dhe vetëm i ka konfirmuar.