A ka rënë ujku? Hëngri ndonjë dele?/ Ja si trafikantët sinjalizonin ardhjen e policisë në parcelat me hashash

A ka rënë ujku? Hëngri ndonjë dele?”

Këto ishin disa nga kodet që të arrestuarit e aksionit ‘Ndëshkimi 2’ përdornin me njëri-tjetrin në telefon, kode që simbolizonin policinë kur ajo kryente aksione në zonë.

Në pranga gjatë këtij aksioni kanë rënë Taulant Kotorri, Ibrahim Doku, Aldrin Doku, Besnik Doku, Sokol Doku dhe Erald Doku, të cilët do të përballen ditën e hënë me akuzën e kultivimit të drogës ne fshatin Barkanesh, Krujë.

Dy nga të prangosurit janë efektivë të policisë së burgjeve.

Të gjithë të dyshuarit kishin gjetur një mënyrë ndryshe të mbjelljes së kanabisit, në malet e Barkaneshit.

 

Ata kishin mbjelle drogë në sasi të vogla por në dhjetëra parcela me nga pesë e dhjetë rrënjë secila parcelë. Në këtë mënyrë shmangnin mundësinë e zbulimit nga policia, por edhe nëse kjo ndodhte nuk humbnin të gjithë drogën.

“Në telefon ata flisnin në mënyrë të koduar”, – thotë prokuroria e Krujës, – “shpesh duke e quajtur hashashin “bar” dhe “dele” dhe policinë si “ujk”.