Napoli forcon mbrojtjen me lojtarin që u dallua në Kupën e Afrikës

Pas grekut Manolas, Napoli është shumë pranë nënshkrimit me një tjetër qendërmbrojtës, që vjen nga kampionati grek, konkretisht nga e Olympiacos.

Bëhet fjalë për tunizianin Yassine Meriah, i cili spikati në Kupën e Afrikës, ndërsa prej dy sezonesh luan me klubin nga Pireu.

Olympiacos e bleu mbrojtësin për 1.5 milionë euro dy sezone më parë, ndërsa Napoli është gati të paguajë 4 tani, për të vënë Meriah në dispozicion të Carlo Ancelottit.

Me Manolas-Koulibaly, mbrojtja e napolitanëve duket e blinduar, por Meriah shikohet si një emër që mund të pranojë stolin dhe të thirret sa herë të jetë nevoja.