FOTO/ Paguajmë 370 mln euro taksa për mjedisin, por jemi vendi më i ndotur

Shqipëria nuk shquhet si ndonjë vend i pastër, përkundrazi plehrat i gjen lehtësisht kudo, sidomos në bregdet, ndërsa në rrugë shpesh herë të merret fryma kur pranë të kalon ndonjë makinë që nxjerr tym të zi, çka po ndodh gjithnjë e më shpesh së fundmi.

Megjithatë bizneset dhe qytetarët paguajnë rreth 370 milionë euro në vit si taksa për mjedisin, ose gati 3.1% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (prodhimi i brendshëm bruto).

Sipas një publikimi të fundit të INSTAT, në 2017, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën vlerën e rreth 47 miliardë lekë, duke pësuar rënie me 0,64 % krahasuar me vitin 2016, ndikuar kjo kryesisht nga rënia e të ardhurave nga taksat e transportit.

Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore për vitin 2017, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 53,18 %, të shoqëruar nga taksat e transportit 42,77 %, taksat e ndotjes me  4,01 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,04 %.

Në vitin 2017, të ardhurat nga taksat e transportit janë ulur me 4,88 %, ndërsa janë rritur taksat e energjisë me 2,87 %, të ardhurat e taksave të ndotjes me 1,31 %  dhe taksat e burimeve natyrore me 23,27 %, krahasuar me një vit më parë.

Në 2017, pesha e të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është 3,06 %, duke pësuar rënie me 0,18 %, krahasuar me 2016.

Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2017, përbëjnë 11,91 % të totalit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rënie me 1,01 % krahasuar me 2016.

/Monitor.al