FOTO/ Çmim i lirë i biletave, Teuta do mbështetjen e tifozëve për sfidën me Ventspils

Teuta do të luajë të enjten sfidën e kthimit të turit të parë të Europa League kundër Ventspils, shkruan Syri.net.

Durrsakët kanë humbur takimin e parë në transfertë me rezultatin e thellë 3-0 dhe në “Niko Dovana” do të mundohen të bëjnë përmbysjen, e cila në fakt duket mjaft e vështirë.

Për të arritur “mrekullinë”, klubi durrsak kërkon ndihmën e tifozëve.

Në mënyrë që tifozëria e “djemve të detit” të jetë sa më e shumtë në numër, klubi ka vendosur çmime të lira të biletave.

Kështu, një biletë në tribunat A1 dhe B1 kushton vetëm 200 lekë të rinj, ndërsa në tribunat A dhe B kushton 300 lekë (të rinj).

Sipas njoftimit të klubit të Teutës, shitja e biletave do të nisë ditën e enjte në orën 09:00 pranë pikës së shitjes, në stadiumin “Niko Dovana”.

Durrsakët u bëjnë thirrje të gjithë tifozëve të mbështesin ekipin e tyre, në takimin që nis në orën 17:00.