Malltezi në Syri TV: Rama me kartelë, kërkon të kapë çdo zyrë e çdo institucion

I ftuar në Syri TV, anetari i kryesise së PD-se, Jamarbër Malltezi komentoi situatën politike në vend dhe disa problematika në qytetin e Tiranës.

Sa i përket kërkesës për shkarkimin e Arben Malaj nga Banka e Shqipërisë, Malltezi u shpreh se, Rama nuk pranon asnjë mendim ndryshe.

Sipas tij, Rama kërkon të kapë çdo zyrë e çdo institucion në këtë vend.

“Edi Rama do të ketë në çdo dorë institucion e zyrë. Do të ketë në dorë prokurorë e gjyqtarë. Edi Rama nuk pajtohet me asnjë mendim ndryshe. Ai është thjesht një diktator, që nëse nuk je në një mendje me të je armik.  Ne në 90 kemi dalë e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Ku jemi sot? Nëse do thoshin atëherë do ikë Ramizi e do vijë djali i Kristaqit me kartelë, të gjithë do të thoshin më mirë Ramizi se ky budalla. Po shporrin shqiptarët nga vendi i tyre”, deklaroi Malltezi.

Sa i përket kryebashkiakut të Tiranës, Malltezi e cilësoi Erion Veliajn “profesorin e intrigës në Shqipëri”.

“Erion Veliaj është profesori i intrigës në Shqipëri. Sa i përket ndërtesës te sheshi Italia, para një muaji ishte edhe VKM për dhënien e parave drejtorit. Te Uanaza e Re duan ti nxjerrin njerëzit pa i shpronësuar, ndërsa këtu veprojnë ndryshe. Kjo ishte intriga e rradhës e Veliajt. E bëri të gjithë këtë për të sulmuar Ramën. PD doli e tha ja ku është leja e Ramës, ja legalizimi i Artan Lames. Veliaj doli si burrë i mirë. Me duart e të tjerëve sulmoi Ramën”, tha Malltezi.

Sa i përket tenderave në Bashkinë e Tiranës, Malltezi denoncoi faktin se, kompania Fusha Sh.p.k ka marrë 43 tendera, duke përmendur edhe tenderin për Bulevardin Zogu 1, që sipas tij, një km kushton 10 milionë euro.