Kurbanorama

Kohë e çuditshme, kohë kur të gjithë betohen për besë e fe se po respektojnë ligjin. E duan, por jo për veten e tyre, por për të tjerët, për ata që shtypin e ju shtrëngojnë dhëmbët për taksa e pagesa faturash, sepse ndryshe i pret burgu. Burgun, që nuk e panë kurrë se nuk është për ata, por për të tjerët.

Kohë e çuditshme, kur një palo Kryeministër, pasi firmos e vulos paligjshmëri, mbledh një tufë gojëkyçurish dhe ju tregon se çfarë do të bëjë ai. Goxha plan: quhet Kurbanoramë. Fillon me kundërshtarët dhe mbaron me opozitën politike.

Kurbanorama po gatit gjellën e shkarkimit të Presidentit, sepse edhe ky “i paudhë” po i pengon rrugën Lartgjatësisë në planin e tij të lig: merr një palë zgjedhje pa garë, pastaj fito të tjerat me garë. Shërbëtorët, ca të kuq, ca laramanë, ca të ndërsyer dhe ca të kursyer, diskutonin në të ashtuquajturin komision hetimor planin e të madhit.

Ata që nuk duan t’ia dinë për ligj, qenkan mërzitur për Kushtetutën?! Bah, nuk e besoj! Janë çartur se prishet plani. Jo plani i tyre, se ata nuk kanë objektiva, mjafton një copë torte nga pushteti, por plani i të madhit dhe i klanit të tij duhet të trumfojë. Ndryshe i merr lumi të gjithë.

Zagarët e medias adresashumë i ka zgjidhur dhe kudo hidh baltë e pisllëk mbi kundërshtarin, mbi Presidentin e ish-Presidentin, mbi kryetarët e partive opozitare. Ata duhet të shuhen thotë ai, se ai nuk duron mendimin ndryshe.

Sot, e kanë rradhën kundërshtarët, nesër sejmenët. Nesër, mund tu zerë ju kosa e Kurbanoramës, se ajo nuk ndalet, për aq kohë sa ky model është në pushtet. Nuk do ta ketë për gjë tu fshijë nesër juve që i shërbeni sot. Se ai nuk njeh rregull, ligj e kushtetutë, veç mendjes dhe instikteve të tij. Ndoshta atëhere reflektoni, kur ta kuptoni se jeni në anën e viktimave të pushtetit të tij.

Kurbanorama është rrugëtimi në pushtetin pa kufi, ku fitojnë ata dhe populli humb, ku ndodh gjithçka, por nuk ka demokraci. Ai nuk e ka për të madhe tu bëj kurban të gjithëve që ai dhe ca rreth tij ta gëzojnë sulltanatin kriminal.

Mos i shërbeni se një ditë do të pendohi!