Linda flet në emër të grave të Shqipërisë: Për fjalimin pyeta nënën e Edit, mamanë, Gregorin, Rean…!

Nuk është më sekret që bashkëshortja e kryeministrit, Edi Rama, është shndërruar që pas vitit 2013 në gruan më të fuqishme në vend, jo vetëm si ‘biznesmene’, por veçanërisht për sa i përket vendimmarrjeve të rëndësishme duke filluar që nga emërimi i ministra(e)ve e zëvendës(e)ve të tyre, për koncesionet e PPP-të dhe deri te tenderat për aderimin e kryeministrisë, e gjithë institucioneve shtetërore.

Meqenëse si gruaja e kryeministrit fuqiplotë të Shqipërisë, ajo natyrisht mund të konsiderohet edhe si femra ‘ më e suksesshme’ në vendin tonë, është normale që në  samitin e zhvilluar në Londër me temë fuqizimin e grave, fjalimin në emër të gjithë grave shqiptare ta mbante pikërisht ajo.

Në këtë fjalë ku pretendon se tregon ‘sukseset’ e grave në  Shqipëri, pasi ka pyetur gjithë familjen kryeministrore, Linda Rama, tregon për femrat të suksesshme që janë ministre në qeverinë e burrit të saj; që nga  Energjetika, Infrastruktura, Financat, Ekonomia, Mbrojtja, Drejtësia, Arsimi, Shëndetësia, Kultura, Marrëdhënieve me Parlamentin, madje edhe Kryeprokuroja. Të gjitha të vendosura në këto poste direkt nga bashkëshorti i saj fuqiplotë në qeveri, parti e parlament dhe natyrisht, me konsultimin e vetë asaj.

Por më ironikja në gjithë këtë është se, Linda Rama, për të shkruar fjalimin për ‘hallet’ e grave në Shqipëri që ka mbajtur në samitin e Londrës, ka pyetur gjithë familjen kryeministrore; që nga nëna e Edit dhe e saj e deri te Gregori e Rea!

‘Duke menduar se çfarë mund të thosha në këtë samit, pyeta nënën e Edit: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Të refuzojë agresivitetin dhe të ruajë epërsinë e thelbit ndaj formës – m’u përgjigj. Pyeta nënën time: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Përpara se të mendosh për sfidat, mos harro të kujtosh arritjet e gruas, që gjyshja ime iku pa i imagjinuar dot për mua, ndërsa unë i imagjinoj të pafundme mundësitë për mbesat e mia – m’u përgjigj.

Pyeta Rean, vajzën tonë 29-vjeçare: Cila është sfida më e madhe që ka vajza sot? Të njohë dhe të përqafojë plotësisht natyrën e saj – m’u përgjigj. Pyeta Gregun, djalin tonë 28-vjeçar: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Lufta për shkollim dhe punësim dhe përballja me mentalitetet patriarkale në Shqipërinë rurale dhe periferike, – më tha.

Pyeta mikeshën time, një profesioniste shumë e mirë: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja profesioniste sot? Të pretendojë e të guxojë më shumë, duke shtruar rrugën dhe lëne gjurmë për të frymëzuar gra e vajza të tjera qe të mund ta ndjekin e çojnë më tej lartësimin e saj, – m’u përgjigj. Pyeta dhe të tjerë, duke marrë të tjera përgjigje që plotësonin mozaikun e sfidave të gruas në një vend të vogël si Shqipëria, që historia për gjysmë shekulli e vuri në sprovën e diktaturës më të egër krahasuar me të ngjashmet e veta dhe të tranzicionit shumë të vështirë në 30 vitet e fundit’, ka thënë Linda Rama në sallën e madhe, të mbushur me gra nga e gjithë bota në Londër.

I ka pyetur Linda të gjithë pjesëtarët e familjes kryeministrore, edhe mikeshat e saja që janë të ‘suksesshme’ në bankë ‘ABI’, por duket se ka ‘harruar’ të konsultohet me atë gruan, që shiste misra rrugëve për të mbajtur me bukë fëmijët dhe policët e hoqën sot zvarrë publikisht, si të ishte kriminele. Ka pyetur, gruaja e burrit që me një firmë jep 350 milion euro për 17 kilometra rrugë, familjen kryeministrore, por ka ‘harruar’  të takojë e të pyes ato gra te Astiri që protestojnë për shtëpitë e tyre dhe trajtohen si ‘kriminele’ nga policia e Lleshit; ato dhjetëra mijë femra që janë pa punë, e të tjera në fshat që janë kthyer në skllave si në mesjetë.