KQZ hap kutitë në Lezhë, zbulohet se 'Kaubojsi' është vjedhur për Pjerin Ndreun!

Edhe pse ishte një formalitet, sepse ka zgjatur vetëm pak minuta, KQZ hapi 11 kuti të votimeve të 30 qershorit në bashkinë e Lezhës dhe zbuloi se janë vjedhur vota, në dëm të kandidatit Eduard Ndocaj dhe në favor të Pjerin Ndreut të PS-së. Sipas burimeve zyrtarenë KQZ, ka rezultuar se të njohurit si “Kaubojsi”, i janë vjedhur 4 vota.

Gjatë mbledhjes u bë numërimi i votave në secilën nga 11 kutitë e kontestuara nga ish-deputeti Ndocaj, për të parë nëse ka parregullsi nga shifra e votave totale që janë shënuar në procesverbal nga KAZAZ-të.

Sipas pretendimeve të Eduard Ndocajt, kandidatit për kryebashkiak përball Ndreut, në 11 qendra votimi në bashkinë e Lezhës ka pasur më shumë vota sesa votues dhe për këtë arsye, u vendos që të hapen kutitë për të parë nëse ka apo jo shkelje.

Pavarësisht se votimet u kryen në qendra të kontrolluara nga komisionierë të PS-së; u numëruan dhe u vulosën po prej tyre; u rihapën sot prej KQZ-së e cila është gjithashtu mono-partiake, sërish rezultoi se “Kaubojsi” është vjedhur në favor të Pjerin Ndreut të Rilindjes. Pavarësisht se numri 4 i votave të grabitura nuk ndryshon rezultatin “fake”, sërish kjo tregon se çfarë ka ndodhur në realitet me votimet mono-partiake të 30 qershorit si dhe përgjegjësinë ligjore të komisionierëve të PS.