SHBA godet Ramën për PPP/ Në Shqipëri e pamundur të bësh biznes

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e përvitshëm për klimën e investimeve në Botë.

Sipas DASH, Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme me një produkt vendor bruto rreth 5288 dollarë për banor.

Raporti thekson se numrin e madh të kontratave të Partneritet Publik Privat që qeveria ka nënshkruar ka zvogëluar mundësitë për garë.

“Rritja e numrit të kontratave të Partneritetit Publik Privat ka zvogëluar mundësitë për garë për investimet në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë duke futur këtu dhe investitorët e huaj. Analiza e dobët e kostove dhe përfitimeve dhe mungesa e ekspertizës teknike dhe monitoruese të kontratave me PPP janë shqetësime në rritje. Qeveria ka nënshkruar më shumë se 200 kontrata të Partneritetit Publik Privat deri në fund të vitit 2018”

Gjithashtu në raportin e DASH për klimën e investimeve shkruhet dhe për reformën që Shqipëria ka nisur në sistemin e drejtësisë.

Pjesë nga raporti i DASH:

“Në vitin 2016 Qeveria Shqiptare miratoi disa ndryshime kushtetuese për të reformuar sistemin e drejtësisë në vend dhe për të përmirësuar shtetin e së drejtës. Implementimi i reformës në drejtësi është ende duke vijuar duke përfshirë dhe procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët për pasuritë e tyre të pajustifikuara. Edhe pse një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh janë larguar nga detyra nga komisioni i vettingut pasi nuk e justifikonin pasurinë e tyre dhe për lidhje me krimin e organizuar, investitorët e huaj e shikojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria është ende një vend i vështirë për të bërë biznes”