Shkupit i ‘shpëton’ fitorja nga duart, armenët shënojnë dy gola në fund

Shkupi nuk ka marrë më shumë se një barazim përballë Pyunik Yerevan në ndeshjen e parë kualifikuese të raundit të parë në Europa League.

Skuadra armene barazoi vetëm në minutat e fundit 3-3 në duelin ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia Veriore.

Ndeshja nisi furishëm, duke shënuar dy gola në 25 minutat e para, me vendasit që kaluan në avantazh që në minutën e 4’. Ishte Erik Vardanyan i cili realizoi nga pika e bardhë e 11 metërshit për të zhbllokuar shifrat.

Në minutën e 25’, Muharem Bajrami realizoi për të barazuar shifrat në 1-1 duke rivendosur kështu balancën.

18 minuta më vonë, Darko Ilieski realizoi golin e dytë për miqtë dhe në këtë mënyrë Shkupi e mbylli në avantazh pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës u zhvillua një lojë mjaft interesante. Shkupi arriti që të gjente rrugën e golit edhe një herë në minutën e 60’, përsëri me anë të Bajramit.

Shpresat për vendasit riktheu Maksim Zhestokov, i cili në minutën e 80’ ngushtoi diferencën në 2-3.

Shkupi e pësoi golin e barazimit në minutën e 85’ kur Edgar Manucharyan realizoi për 3-3 dhe i mohoi fitoren shqiptarëve nga Maqedonia Veriore.

Gjithsesi, me tri gola të shënuara në transfertë, Shkupi favorizohet për të kaluar në raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Evropës.