Rikthehet dueli i ‘titanëve’, Federer ka një mesazh para përballjes me Nadalin

Roger Federer dhe Rafael Nadal do të takohen në Wimbledon për herë të parë që prej vitit 2008, pasi të dy tenistët u kualifikuan në gjysmëfinalen e turneut të të grand slamit më prestigjioz në tenis.

Roger Federer ka thënë se do të jetë kënaqësi për të, që të përballet me “armikun” dhe njëkohësisht rivalin e dikurshëm, Rafael Nadal.

Federeri e mposhti Kei Nishikorin në katër sete, 4:6, 6:1, 6:4, 6:4, duke e siguruar fitoren e 100-të në Ëimbledon, ndërsa Nadal e mundi Sam Querrey në tre sete, 7:5, 6:2, 6:2.

Ky do të jetë takimi i tyre i parë në Wimbledon pas 11 vjetëve, ndërsa legjenda zvicerane mezi po pret të përballet me spanjollin.

“Ne kemi shumë informacione rreth Rafas, njëlloj dhe Rafa për mua. Mund të bëjmë taktika ose thjesht të themi është terren me bari dhe do të paraqitem që në fushë ta luaj lojën time”, tha Federer për BBC.

“Ka qenë kënaqësi të luaja ndaj Rafas në fushën e tij në French Open dhe do të jetë kënaqësi të luaj ndaj tij edhe këtu në Wimbledon. Ndihem i emocionuar që të luaj sërish ndaj tij”, shtoi ai.

Në finalen e vitit 2008, takimin e fundit mes tyre në këtë turne, spanjolli Nadal fitoi 9-7 në setin e pestë kundër zviceranit Federer në një finale të prekur nga shiu që zgjati gati 7 orë.