10, J, Q, K, A... Po më pas?! A po mbarojnë kartat politike të opozitës?!

Nga Arben Vata - 

Pak ditë më parë, u mbajt protesta e 10-të kombëtare e opozitës për të larguar nga qeveria kryeministrin Rama. Për shumë njerëz, pyetja shtrohet, se sa protesta të tjera do të thërrasë opozita dhe cili do të jetë rezultati i tyre? Cili do të jetë aksioni opozitës pas disa protestash? Për ta konkretizuar me një lojë të zakonshnme me letra, pyetja shtrohet se çfarë do të ndodhë pas kombinimit të fundit 10,J,Q,K,A? ( Ose thënë ndryshe protestës 10,11,12,13,14? 

Do të vazhdohet sërish kështu deri në zgjedhje të afërta lokake, deri në zgjedhje të përgjithshme, apo në votime për të dyja bashkë? Sigurisht që opozita duhet të ketë tashmë një projekt të qartë për këtë dhe patjetër edhe përfundime të pritshme nga aksioni saj politik. Berisha ishte i pari që në një farë mënyre percaktoi një objektiv të qartë të kësaj proteste, kur tha se Rama mund të dënohet me 37 vite burg për keqqeverisje dhe lidhje me krimin. 

Sigurisht që Berisha nuk mund të përcaktojë sesa drejtesia do të dënojë këtë apo atë politikan, por deklarata e tij është me siguri një përpjekje për të motivuar jo vetëm drejtuesit aktualë të opozitës, por edhe pjesëmarrësit e lëvizjes popullore për rrëzimin e Edi Ramës dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sidomos, elektoratin pa parti, i cili më shumë sesa ardhjen në pushtet të Lulzim Bashës, kërkon një sistem politik që nuk ndërhyn tek vota dhe drejtësia. Një drejtësi që tregon se dënon çdo lloj politikani, është ajo drejtesi që çdo shqiptar kërkon. Përmendja e Ramës si dhe referimi sesa vite dënimi ai mund të marrë, është një shtysë për të vazhduar edhe më tej këtë lëvizje. 

Por, deri kur? A do të lodhen shqiptarët nga këto protesta apo do të vazhdojnë edhe me muaj deri ndoshta në zgjedhjet e parashikuara në vitin 2021? A po pret opozita shtimin e lojtarëve në fushën e lojës? Dmth Ilir Metën që të radikalizojë apo shtojë presionin ndaj qeverisë? A mos është opozita e bindur se qeveria nuk rrëzohet me protesta në bulevard, ndërsa dhunën nuk e pranojnë ndërkombëtarët si mjet për largimin e një qeverie? A mos opozita kërkon të mbajë në presionin e protestës së rrugës qeverinë për ta pasur më të lehtë për ta rrëzuar atë kur të vijë koha e zgjedhjeve? 

Ka edhe shumë pyetje të tjera të cilave opozita duhet tu japë pergjigje, si detyrim për ata që po e mbështesin prej muajsh. Përndryshe, nëse vazhdohet kështu për një kohë të pa caktuar, vjen koha që askush nuk ka interes të ndjekë një lojë të cilën e ka parë që prej fillimit.

Pas shtrimit të 10,J,Q,K,A ,vjen koha të mësosh nëse ti apo kundërshtari ka fituar lojën.