FOTO/ Prespa dhe pelikanët

Ndonëse ana shqiptare e Prespës nuk ka kushtet e përshtatshme për folezimin e pelikanit, ajo përmbush më së miri nevojat e kësaj specie duke u përdorur si zonë pushimi dhe zonë ushqimi nga pelikanët. Liqeni i Prespës na jep mundësinë të kundrojmë dy lloje pelikanësh që folezojnë në Prespën e vogël greke: Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe Pelikani i Bardhë (Pelecanus onocrotalus).

Deri në 600 individë ka qënë numri më i lartë i numuruar në një ditë gjatë monitorimeve të kaluara në pjesën shqiptare të Liqenit të Prespës. Periudha e frekuentimit të pelikanëve në Prespën shqiptare nis nga java e dytë e muajit mars deri në fillimin e dhjetorit, ndërsa numri më i madh i individëve regjistrohet gjatë muajit qershor.

PPNEA në bashkëpunim me AdZm Korce dhe KFW, realizoi së fundmi numërimin e pelikanëve në Prespë për konfirmimin e pikave më të përdorura në liqen, ku u vrojtuan rreth 400 individë, me shumicën e përbërë nga Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus).