Conte e ka të qartë detyrën tek Interi: Të ngushtojmë diferencat me Juventusin

7 korriku ishte dita e Antonio Contes. Në praninë e drejtorit të përgjithshëm dhe njëkohësisht administratorit të deleguar Giuseppe Marotta dhe drejtuesve të tjerë zikaltër, Antonio Conte u prezantua si trajneri i ri i Interit, me konferencën për shtyp që u mbajt në zyrat e reja të klubit.

Fillimisht ish-trajneri i Juventusit dhe Chelseat iu përgjigj pyetjes së përse zgjodhi Interin, pasi në drejtim të tij kishte edhe shumë oferta të tjera.

“Ishte shumë e lehtë për të zgjedhur Interin, sepse gjetëm njëri-tjetrin me të njëjtin vizion, duke ndarë të njëjtën ambicie me drejtorin dhe presidentin. Prezenca e Marottës ishte një nxitje e rëndësishme. Interi ka ambicie të mëdha, pasi është një nga klubet më të rëndësishëm në botë”, tha tekniku i ri i zikaltërve.

Përsa i përket objektivave, Conte nuk i vuri limite vetes, por shtoi se me punë mund të arrihet gjithçka.

“Unë jam njeri që nuk vendos limite dhe nuk dua që dikush tjetër të na vendosë limite në fillim të sezonit. Nëse i vendos limite vetes, më pas duhet të gjej alibi. Në vitet e fundit ka patur një diferencë të madhe mes Juventusit dhe skuadrave të tjera, tani është edhe Napoli. Ne duhet të punojmë fort dhe më mirë se të tjerët për të ngushtuar diferencën. Ne duhet ta fillojmë me ambicie dhe të japim më të mirën”, deklaroi Conte.