FSHF merr vendimin e rëndësishëm, ndryshon rregullorja e Kategorisë Superiore

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë sot një vendim shumë të rëndësishëm sa i përket garës për sezonin e ri, 2019-2020, që nis më 24 gusht.

Përveç vendeve 9 dhe 10, në sezonin e ardhshëm praktikisht mund të zbresë nga kategoria edhe ekipi që renditet në vendin e tetë në Superiore.

KE ka miratuar që të bëhet një ndeshje “play-out” mes vendit të tetë të Superiores dhe ekipit që do të fitojë një finale mes vendeve të dyta të grupeve A dhe B.

Pra, ekipet që përfundojnë sezonin në Kategorinë e Parë në vendin e dytë, do të bëjnë fillimisht një finale mes tyre për të nxjerrë skuadrën fituese, e cila më pas do të diskutojë ngjitjen në Superiore duke bërë një ndeshje “play-off” me vendin e tetë.

Ndërkohë, nga ky sezon nga Kategoria e Parë në të Dytën do të bien direkt 4 skuadra, dy nga grupi A dhe dy nga Grupi B.

Kësisoj, Kategoria e Parë në sezonin 2020-2021 nuk do të vazhdojë më me 20 klube, por do të reduktohet në 18.