Asnjë hap pas

Edi Rama tashmë është i larguar dhe zgjedhjet e parakohshme janë në prag. Lulzim Basha shumë shpejt do të jetë kryeministri i shqiptarëve.

Ata që deshën largimin e Ramës le ta nisin festën. Ndërsa, për ata që duan t’i japin fund tranzicionit shqiptar sfida sapo ka filluar.

Sepse, në mënyrë që të kemi ndryshimin e kërkuar të sistemit dhe largimin e elitave të korruptuara, ky nuk duhet të jetë thjesht një rrotacion politik, por duhet të jetë një përmbysje e madhe, që do ta shkulë me themel të keqen, që i ka rrënjët tek e shkuara jonë e zezë komuniste.

Si pasojë, opozita e bashkuar duhet të vijë në pushtet jo si një aleancë mekanike numrash dhe partish por si një frymëzim qytetarësh për një Shqipëri si gjithë Europa.

Ajo duhet të vijë në pushtet në aleancë vetëm me qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Vetëm në aleancë me njerëzit e ndershëm ajo mund të shembë e ngrehinën kriminale, sistemin që riciklon të njëjtët përbindësha.

Misionin për të shembur këtë ngrehinë të kalbur, historia ia ka paracaktuar Lulzim Bashës.

Por, për të shembur këtë ngrehinë të kalbur nuk mjaftojnë vetëm idetë, por duhen akte dhe akti më i rëndësishëm është distancimi nga figurat e errëta politike.

Pra, nuk mjafton të mos bësh marrëveshje me krimin dhe kriminelët, por duhet të refuzosh kategorikisht bashkëpunimin, marrëveshjen dhe faktorizimin e njerëzve të diskretituar dhe figurave të diskretituara të politikës shqiptare djathtas dhe majtas.

Lulzim Basha nuk duhet të bëjë aleancë me asnjë medie që gjatë këtyre viteve ka shitur dhe ka prerë në besë interesin e qytetarëve.

Ai nuk duhet të bëjë aleancë me njerëz të korruptuar, që e kanë përdorur pushtetin si ndërmarrje biznesi.

Ai nuk duhet të bëjë aleancë me njerëz që kanë bërë luftë të paprinciptë për të dobësuar opozitën.

Ai nuk duhet të bëjë aleancë me ata që kur kanë qenë në pushtet kanë gjobitur dhe nënshtruar bizneset për qëllime të të ndyra.

Ai nuk duhet të bëjë aleancë me ish-oficerë policie të korruptuar që e përdorën postin për të goditur mbështetës të së djathtës.

Ai nuk duhet të bëjë aleancë me asnjë një trafikues jo vetëm të pushtetit, por të çdo vlere morale dhe çdo parimi politik në këtë vend.

Ai duhet të qëndrojë i palëkundur tek nevoja jetike që ka sot shoqëria shqiptare për ndryshim dhe jo tek nevoja për të ardhur në pushtet.

Nëse PD do të vijë në pushtet thjesht për pushtet, me të njëjtët njerëz të cilët populli i rrëzoi me votë, atëherë asgjë nuk do të ndryshojë.

Ajo që duhet të ndodhë më zgjedhjet e ardhshme është një ngadhënjim i parimeve demokratike dhe jo një fitore e pazareve të individëve.

Duhet të jetë një ngadhënjim i Shqipërisë europiane dhe jo një fitore e Shqipërisë tribale.

Duhet të jetë një ngadhënjim i shpresës mbi frikën.

Duhet të jetë një ngadhënjim i lirisë mbi skllavërinë dhe jo thjesht një rrotacion mekanik me marrëveshje dhe aleanca qelbësirash .

Nëse nuk është e tillë, nuk ka vend për gëzim, sepse do të jetë thjesht një riciklim i të njëjtës elitë dhe vazhdim i të njëjtës situatë agonie.

Përpjekja e tij për të ndryshuar sistemin do të përfundojë në një gjest që do të ringjallë njerëzit më të diskretituar gjatë qeverisjes.

Pas këtij faktorizimi ata do të jenë dera e hapur për çdo hajdut dhe të korruptuar.

Ata do ta tërheqin zvarrë pushtetin, ashtu siç hoqën zvarrë Edi Ramën.

Një rotacion që vjen nga tradhtia ndaj parimeve, mund të zgjasë agoninë dhe kaosin si dhe t’i japë fund njëherë e përgjithmonë ëndrrës së shqiptarëve për liri dhe demokraci.

Lulzim Basha, nëse prodhon rotacion me këtë pazar, nuk ka më asnjë shans të jetë udhëheqësi i që do t’i japë fund tranzicionit shqiptar duke shkërmoqur kështu edhe një herë ëndrrën e madhe të shqiptarëve, ndaj:

Asnjë hap pas!